Hagë: 4 mars 2022 – Këtë javë, një delegacion i përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës që punojnë në çështjen e personave të zhdukur ka vizituar selinë e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për të diskutuar masat për zgjerimin e procesit të llogaridhënies së personave të zhdukur nga konflikti në Kosovë.
Delegacioni i Kosovës i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe Institutit për Mjekësi Ligjore diskutoi bashkëpunimin në ndërmarrjen e një shqyrtimi të plotë të procesit teknik të zhvilluar në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit, dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal nëpërmjet Grupit të Personave të Zhdukur.
Kathryne Bomberger, Drejtore e Përgjithshme e ICMP-së theksoi rëndësinë e shqyrtimit të ardhshëm teknik të rasteve të paidentifikuara në morgun e Institutit për Mjekësi Ligjore të Kosovës (IML), si dhe rritjen e kapaciteteve të IML-së në lidhje me administrimin dhe analizimin e të dhënave mbi rastet e personave të Zhdukur.
“Me ndihmën e ICMP-së, Instituti për Mjekësinë Ligjore i Kosovës dhe Komisioni Qeveritar i Kosovës për Personat e Zhdukur do të kryejnë një shqyrtim tërësor të 300-400 rasteve të mbetjeve njerëzore të paidentifikuara në Morgun e Prishtinës. Ky proces do të shpjerë në zgjidhjen e një numri rastesh të personave të zhdukur që do të bëjnë të mundur që autoritetet e Kosovës të përmbushin detyrimin e tyre ligjor për të realizuar të drejtat e familjeve të të zhdukurve”, tha znj. Bomberger.
Më shumë informacion mbi proces-llogaridhënjën e të zhdukurve nga konflikti i Kosovës është në dispozicion në Raportin mbi vlerësimin e gjendjes të Konfliktit të Kosovës të ICMP-së dhe infografiku.
“Ky shqyrtim do të ndihmojë gjithashtu planifikimin e veprimeve të ardhshme për të zgjidhur më shumë raste të personave të zhdukur dhe do të bëjë të mundur që autoritetet e Kosovës të zgjerojnë punën e saj me Serbinë dhe qeveritë e tjera rajonale që marrin pjesë në Grupin e Personave të Zhdukur,” shtoi znj. Bomberger.
- Andin Hoti, Kryetar, i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur tha: “Kjo vizitë na ndihmon të përparojmë bashkëpunimin tonë ndërmjet Institucioneve të Kosovës dhe ICMP-së. Ramë dakord të intensifikojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të identifikuar personat e zhdukur sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrën më të saktë të mundshme duke përdorur teknologjinë e ADN-së. Ne kemi rënë dakord gjithashtu mbi hapat konkretë lidhur me shqyrtimin e mbetjeve mortore të ruajtura në morgun e Prishtinës dhe procesin në përgjithësi. ICMP dhe Kosova kanë vite të bashkëpunimit të ngushtë në proces dhe ekspertiza e ICMP-së në këtë fushë do të ndihmojë në sqarimin e fatit të të dashurve tanë”.
Gjatë dy dekadave të fundit, duke mbështetur bashkëpunimin midis qeverive në rajon, ICMP ka ndihmuar vendet e ish Jugosllavisë të llogarisin për 28,000 nga 40,000 njerëzit që mungonin në fund të konfliktit, një arritje që nuk është barazuar askund në botë. Në qershor të vitit 2018 krerët e qeverive nga Takimi i Ballkanit Perëndimor në Londër nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët duke rinovuar angazhimin e tyre për të bashkëpunuar në përpjekjen për të dhënë llogari për ata që ende mungojnë. Deklarata e përbashkët u pasua nga nënshkrimi i një Plani Kornizë nëntorin e po atij viti, në selinë e ICMP-së në Hagë, nga përfaqësuesit e Bosnje dhe Herzegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, të cilët zyrtarisht u zotuan të punojnë së bashku si Grupi rajonal i Personave të Zhdukur (GPZH).
ICMP ndihmoi Kosovën të krijojë Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur në vitin 2006 dhe vazhdon të ndihmojë autoritetet në Kosovë të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit vendor dhe ndërkombëtar për të gjetur të gjithë personat e zhdukur pavarësisht nga origjina e tyre fetare apo kombëtare dhe për të siguruar të drejtat e të gjitha familjeve të mbijetuara të të zhdukurve për drejtësi, të vërtetën dhe reparacionet.
Vizita e delegacionit të Kosovës është pjesë e projektit për forcimin e bashkëpunimit rajonal për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur nga konfliktet e viteve 1990 të mbështetur nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë.
Rreth ICMP
ICMP është një organizatë ndërqeveritare e bazuar në traktate me seli në Hagë, Hollandë. Mandati i saj është të sigurojë bashkëpunimin e qeverive dhe të tjerëve në gjetjen e personave të zhdukur nga konfliktet, abuzimet e të drejtave të njeriut, fatkeqësitë, krimi i organizuar, migrimi i parregullt dhe shkaqe të tjera dhe t’i ndihmojë ata në këtë. Ajo është ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.