(Albanian)Një vit më pas, baza e përbashkët e të dhënave të Ballkanit Perëndimor mbetet vendimtare Për përpjekjet rajonale për të gjetur të zhdukurit

Photo from the launch of the Regional Database in The Hague, November 3, 2022.

Hagë, 3 nëntor 2023: Sot shënohet njëvjetori i lançimit  të Databazës Rajonale të rasteve aktive të personave të zhdukur nga konfliktet në territorin e ish-Jugosllavisë. Baza e të dhënave u lançua nga Grupi i Personave të Zhdukur të Ballkanit Perëndimor (GPZH), i cili përbëhet nga Krerët dhe përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia që janë përgjegjës për llogaridhenjen e personave të zhdukur. GPZH u krijua me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) në nëntor 2018.

Databaza Rajonale u siguron anëtarëve të GPZH-së një platformë moderne softuerike për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale dhe familjeve të të zhdukurve me informacione të sakta dhe të përditësuara mbi rastet e personave të zhdukur nga konfliktet në ish-Jugosllavi. Pavarësisht nga sfidat politike, bashkëpunimi i vazhdueshëm midis institucioneve vendase në rajon ka qenë vendimtar në ruajtjen e këtij burimi jetik.

“Baza e të dhënave rajonale, e nisur në nëntor 2022, është një dëshmi e angazhimit të institucioneve vendase në rajon,” tha sot drejtori i ICMP-së për Evropën, Matthew Holliday, duke vënë në dukje se institucionet vendase “kanë bashkëpunuar për të krijuar një regjister të unifikuar dhe të saktë të të gjitha rasteve aktive të personave të zhdukur”.

Më shumë se 40,000 vetë u zhdukën gjatë konflikteve të armatosura të viteve 1990 dhe deri më sot janë llogaritur më shumë se 70 për qind e të zhdukurve. Baza e të dhënave rajonale përmban gjithsej 11.355 raste aktive, të cilat anëtarët e GPZH-së po i hetojnë individualisht ose në bashkëpunim me njëri-tjetrin.  Gjatë 12 muajve të fundit, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit dhe me mbështetjen e ICMP-së, GPZH-ja ka korrigjuar të dhënat në 384 raste dhe ka mbyllur 165 raste të personave të zhdukur. Në këtë periudhë, më shumë se 17,000 anëtarë të publikut nga i gjithë globi kanë hyrë në bazën e të dhënave.

“Krijimi dhe përdorimi i vazhdueshëm i kësaj baze të dhënash publike është një shembull befasues i bashkëpunimit rajonal,” tha sot Drejtoresha e Përgjithshme e ICMP-së, Kathryne Bomberger. “Ai pasqyron një angazhim për të dhënë informacion faktik dhe për të de-politizuar çështjen e personave të zhdukur.” Ajo theksoi gjithashtu faktin se, “Baza e të dhënave rajonale shërben tashmë si një model për vendet anembanë botës që përballen me detyrën e frikshme të llogaridhenjes së një numri të madh të personave të zhdukur si rezultat i abuzimeve me të drejtat e njeriut.”

GPZH miratoi raportin e tij vjetor në veprimtarinë e dedikuar në margjinat e Samitit të fundit të Tiranës të Procesit të Berlinit. Raporti nënvizon përkushtimin e anëtarëve të GPZH-së dhe të palëve të tjera kryesore për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur. Pjesëmarrësit e samitit përgëzuan GPZH-në për kontributin e saj thelbësor në bashkëpunimin rajonal.

Puna e GPZH-së fokusohet në zbatimin e Planit Kornizë që buron nga një Deklaratë e nënshkruar në Londër në korrik 2018, në të cilën Kryeministrat e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Kroacisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Austrisë, Bullgarisë, Francës, Italisë, Sllovenisë dhe Polonisë përsëritën angazhimin e tyre për të mbështetur përpjekjet për të dhënë llogari për ata që ende mungojnë si pasojë e konflikteve në ish-Jugosllavi. Aktivitetet sipas Planit Kuadër financohen nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.

Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Republikës Federale të Gjermanisë kanë dhënë mbështetje jetike për këtë projekt, duke njohur rëndësinë e tij në nxitjen e paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor.

Rreth ICMP

ICMP është një organizatë ndërqeveritare e bazuar në traktate me seli në Hagë, Hollandë. Mandati i saj është të sigurojë bashkëpunimin e qeverive dhe autoriteteve të tjera në gjetjen e personave të humbur si rezultat i konflikteve, abuzimeve të të drejtave të njeriut, fatkeqësive, dhunës së organizuar dhe shkaqeve të tjera dhe për t’i ndihmuar ata për ta bërë këtë.